Kryeministri Edi Rama refuzon propozimin e bashkëaleatit Ilir Meta për krijimin e një qeverie besimi, për të shkuar në zgjedhje bashkë me opozitën. Në përgjigje të qëndrimit të shprehur mbrëmë nga Meta, Rama thotë prerazi se nuk ka nder mend te ndalet në rrugën që ka përcaktuar mandati i marrë me votë, vetëm pse opozita ka frike nga Vetingu dhe të hyjë në zgjedhje.
E vlerësoj përpjekjen e bashkëkryetarit të koalicionit qeverisës, Ilir Meta, për të kërkuar një zgjidhje që kënaq Partinë Demokratike.
Edhe unë kam qenë dhe mbetem i gatshëm për çdo zgjidhje që i'a lehtëson Partisë Demokratike rrugën për t'u kthyer në Kuvend; votuar Vetingun; vazhduar betejën e vet politike në shinat e Kushtetutës e të ligjshmërisë dhe garantuar bashkë me ne, që zgjedhjet e 18 qershorit të jenë më të lirat e më të ndershmet të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri.
Qeveria jonë është angazhuar në një rrugë reformash tërësore. Kemi vendosur një bazë ligjshmërie për të bërë shtet, në vend të rrëmujës së paligjshmërisë pa shtet. Kemi rikthyer rritjen e qëndrueshme ekonomike, në vend të batakut të një ekonomie të zhytur në borxhe paralizuese e korrupsion mbytës. Dhe as do te kthehemi mbrapa, as do të ndalemi në rrugën që na ka përcaktuar mandati i popullit, pse një pakicë ka frikë nga Vetingu dhe nga gjykimi i popullit në zgjedhje!
Në reagimin e tij në Facebook, kryeministri shprehet i gatshëm për një diskutim serioz me opozitën, për të gjetur çdo zgjidhje të mundshme, me kushtin që ato të mos cenojnë Kushtetutën. Ai i kujton si aleatit ashtu edhe kundërshtarit politik, se qeveria është vullnet i shumicës, e përcaktuar si e tille edhe në kushtetute.
Nëse Partia Demokratike kërkon një diskutim serioz me ne, jam i gatshëm të ulemi për të diskutuar, që sot, edhe në çadër po të jetë nevoja. Dialogu ka qenë e mbetet gjithnjë zgjedhja ime e parë dhe unë kam qenë e jam i hapur për çdo kërkesë apo zgjidhje, që nuk cenon Kushtetutën e nuk i bie ndesh standardeve demokratike.
Kushtetuta jonë është shumë e qartë - zgjedhjet duhet të mbahen në 18 qershor.
Kushtetuta është shumë e qartë - qeveria është vullnet i shumicës.
Nëse biem të gjithë dakord me Kushtetutën, unë jam i bindur se mund të biem dakord për gjithçka tjetër.
Ilir Meta deklaroi pas mbledhjes se kryesisë së LSI se Rama dhe Basha duhet të heqin dorë nga qëndrimet përjashtuese dhe konfliktuale e të dialogojnë për të gjetur zgjidhje. Me propozimin e kryeministrit Rama për të gjetur zgjidhje brenda kornizës kushtetuese, topi mbetet sërish në fushën e Metës, që si zgjidhje vuri në dispozicion të gjitha mandatet e LSI, nga kryetari i Kuvendit, mandatet e ministrave dhe të gjithë postet politike të përfaqësimit të saj.