Lëvizja Socialiste për Integrim është gati të rinovojë koalicionin me Partinë Socialiste në prag të zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit, por nuk pranon zgjedhje pa opozitën.
Kjo ishte deklarata e kryetarit të LSI, Ilir Meta, gjatë një deklarate për mediat, pas mbledhjes së kryesisë, i cili kërkoi kështu një "qeveri besimi", për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Meta tha se kushti i LSI për të vijuar bashkëjetesën politike me PS, janë përmbushja e detyrimeve nga kryeministri Rama për zgjedhje me standarde dhe respektimi i të drejtave të opozitës.
"Lidhur me çështjen e koalicionit, m.q.s ka kaluar afati i 1 prillit, LSI është e hapur të afirmoj për zgjedhjet e ardhshme koalicionin me PS, bazuar në arritjet e deritanishme të koalicionit aktual dhe të reflektimit serioz të mënyrës së funksionimit dhe analizës së objektivave të parealizuara ende.
Por, nëse lideri i PS nuk do të tregojë përgjegjshmëri maksimale për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe dhënien e të gjitha garancive të mundshme për opozitën, që të jetë e procesit zgjedhor, LSI jo vetëm nuk mund të jetë pjesë e një koalicioni të tillë por as edhe një farse elektorale.
LSI është e qartë dhe ka qenë e qartë që midis të majtës dhe të djathtës, zgjedh të majtën. Mes zgjedhjeve demokratike dhe farsës, zgjedh demokratiken. Mes demokracisë dhe diktaturës, zgjedh demokracinë. Midis kaosit dhe stabilitetit, zgjedh stabilitetin e vendit. Çdo vazhdim i këtij konflikti, jo vetëm që bllokon Reformën në Drejtësi dhe krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë, por krijon edhe boshllëqe institucionale, pasi shumë prej institucioneve të drejtësisë, po u vjen mbarimi i mandatit të tyre. Kjo krijon edhe rrezikun e delegjitimit të të gjithë institucioneve në vend", u shpreh Meta.