Zbardhen detaje nga dreka e mesditës së kësaj të hëne mes kryetarit të LSI, Ilir Meta dhe Shpëtim Idrizit të PDIU.
Burime pranë LSI-së bënë të ditur se temë e diskutimit ka qenë dalja në një koalicion të përbashkët për zgjedhjet e 18 qershorit, të tre partive kryesore të mazhorancës, PS-LSI dhe PDIU.
Gjithashtu, i njëjti burim saktëson se është rënë dakord që tre partitë të bashkëpunojnë edhe në komisionet e numërimti të votave, aty ku PDIU nuk ka përfaqësues.
"Bashkëpunim për zgjedhjet në komisionet e numërimit mes tre forcave politike që përbëjnë mazhorancën", tha për Shqiptarja.com një burim pranë LSI-së.
PDIU do japë votat për Presidentin
Temë e diskutimit ka qenë edhe zgjedhja e presidentit të ardhshëm.
Sipas burimeve, PDIU ka rënë dakord gjatë këtij takimi që të votojë emrin e propozuar nga mazhoranca për kryetar shteti.
Procedura për zgjedhjen e Presidentit nis në 18 prill. Kreu i ri i shtetit do zgjidhet brenda kësaj legjislature parlamentare pra përpara zgjedhjeve të 18 qershorit.