Situata politike, Lu e Arvizu takohen me Bashën e Metën

2017-07-04 0

Kushtin e tij për qeveri teknike Lulzim Basha ia bëri të ditur jo vetëm ambasadorit amerikan në Tiranë Donald Lu, por edhe ish- diplomatit Aleksandër Arvizu.

Në një takim që zgjati për afro 90 minuta, kreu i demokratëve e informoi rreth situatës politike ish ambasadorin Arvizu, i kthyer në Shqipëri me një tjetër mision të ngarkuar nga Washingtoni zyrtar, atë të zëvëndës/ndihmës sekretarit amerikan të shtetit për çështjet e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve dhe zbatimit të ligjeve.

Në njoftimin e shpërndarë nga zyra e shtypit të Partisë Demokratike thuhet se në bisedën me dy diplomatët amerikanë, Basha ka deklaruar se qeveria aktuale nuk ka as vullnetin dhe as mundësinë të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme për shkak të lidhjeve me krimin e bandat e narkotrafikut.

Rruga e vetme sipas tij për të siguruar zgjedhje të lira është krijimi i një qeverie teknike, me një mandat të qartë për zbatimin e menjëhershëm të ligjit të dekriminalizimit, parandalimin e rikanabizimit të vendit dhe luftën kundër drogës.

Pas Bashës dy zyrtarët e lartë amerikanë u takuan edhe me kreun e kuvendit, Ilir Meta, i cili ka folur me shqetësim për situatën politike në vend. Meta e ka vënë sërish theksin tek dialogu politik dhe përgjegjshmëria për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme si dhe për të avancuar reformat kyçe, mes të cilave atë në drejtësi./Tv Klan

Free Traffic Exchange