TIRANE-Policia e Shtetit pezullon dhe shkarkon disa punonjës të saj në lidhje me masat e marra nga Policia e Shtetit për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të kanabisit.
Kreu i Policisë së Shtetit, Haki Cako bëri të ditur në një konferencë për shtyp se është përjashtuar nga policia Feliks Hysa, shefi i Komisariatit të Laçit, pasi SHÇBA ka zbuluar parcela me drogë që ai nuk i ka raportuar.
Sipas Cakos, Feliks Hysa ka shpërdoruar detyrën gjatë një operacioni anti-drogë.
Policia e Shtetit thekson se në vijim të kontrollit të territorit, më datë 01.04.2017, në vendin e quajtur Godull, në një zonë të pyllëzuar, në rrethin Kurbin, nga shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Shëngjin Lezhë, është konstatuar një parcelë e porsa mbjellë me fidanë të dyshuar Cannabis Sativa.
Në parcelë janë evidentuar 513 fidanë Cannabis Sativa, në lidhje me këtë fakt janë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe proceduriale, në kontakt me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin.
Ai së bashku me 5 policë të tjerë u përfshinë në operacion, por mbajtën të fshehtë kultivimin e kanabisit.