Nga Kuçova kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka komentuar situatën politike në vend ku ka theksuar se partitë duhet të dialogojnë që të zhvillohen zgjedhjet.
Meta ka deklaruar se çdo vonesë e çon vendin në drejtim të paditur ndaj duhet shmangur për të mos penguar integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
"Së pari, sot ka qenë një ditë e mrekulleshme këtu në Kuçovë, me të rinjtë dhe të rejat e këtij qyteti me tradita dhe paqedashës dhe në këtë drejtim dua të theksoj rëndësinë e angazhimit tonë të të gjithë politikanëve, drejtuesve të forcave kryesore politike në Parlament për të krijuar klimën e duhur për zgjedhje të qeta, për të respektuar atë të drejtë kushtetuese që ka çdo qytetar i Shqipërisë për të votuar në mënyrë të barabartë dhe të drejtë, për të shprehur vullnetin e tij për të ardhmen e Kuçovës dhe të gjithë Shqipërisë dhe natyrisht që kjo thjesht kërkon vullnet politik dhe dialog politik, kërkon mirëkuptim dhe përgjegjshmëri dhe kjo është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër", ka deklaruar Meta.
Kryeparlamentari është shprehur se çadra nuk është një fenomen i ri në Shqipëri, pasi ka lindur që nga viti 1994.
Sipas Metës të gjitha zgjedhjet në Shqipëri janë shoqëruar nga një klimë tensioni që forcat politike duhet ta shmangin.