Report TV - Ekskluzive/ Plani anti-kanabis zbardhet strategjia e qeverisë

2017-07-04 0

Tre vjet pas ndërhyrjes në Lazarat, qeveria shqiptare ka finalizuar një plan të ri, i cili përmban tërësinë e masave, koordinimeve ndërinstitucionale, hapave dhe veprimeve për asgjësimin e të gjitha plantacioneve të kanabisit në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Shqiptarja.com zbardh planin e veprimit anti-kanabis 2017-2020, një dokument prej 60 faqesh, i cili nis me një analizë të thelluar të situatës, ndërsa vijon me parashtrimin e masave radikale për goditjen dhe çrrënjosjen e fenomenit.

Për herë të parë, përpos policisë dhe prokurorisë, plani anti-kanabis parashikon angazhimin e ushtrisë, Shërbimit Informativ Shtetëror, strukturave doganore, strukturave tatimore, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, policinë pyjore, disa prej ministrive të linjës, pushtetin vendor etj., në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit.

Dokumenti u jep një rëndësi të veçantë edhe mediave tradicionale dhe bashkëkohore në luftën anti-kanabis, për ndërgjegjësimin e shoqërisë si dhe për të përcjellë informacionin tek të rinjtë, me qëllim mbajtjen e tyre larg kultivimit, trafikimit dhe përdorimit të lëndëve narkotike.

Ndërkaq, masat kundër kanabisit konsistojnë në goditjen e financave të grupeve kriminale, kontrollin e territorit, krijimin e hartave të sipërfaqeve të tokave, forcimin e kontrollit kufitar, bashkëpunimin e hershëm të shërbimeve inteligjente etj.