Partia Popullore Europiane, grupimi politik më i madhi partive të djathta dhe të qendrës në parlamentin europian, miratoi një rezolutë në samitin e Maltës, përmes të cilës u bën thirrje të gjitha forcave politike në rajonin e Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë, të marrin pjesë plotësisht në proceset demokratike, të zbatojnë reformën në drejtësi, dekriminalizimin dhe të luftojnë korrupsionin.
Për situatën në Shqipëri, edhe pse në rezolutë nuk përmendet asnjë vend me emër, referenca është e qartë teksa opozita gjendet jashtë institucionit të parlamentit dhe ka vendosur të mos marrë pjesë në procesin zgjedhor.
Partia Popullore inkurajojnë të gjitha forcat politike të marrin pjesë plotësisht në proceset demokratike dhe institucionet në vendet respektive të tyre në rajon dhe të fokusohen në reformat strukturore, për të cilat ekonomia e tyre ka nevojë urgjente.
Ecja përpara me reformën në drejtësi, është një urgjencë për Ballkanin perëndimor, thuhet në rezolutë. Një thirrje që vjen në një kohë kur opozitës në Shqipëri i është kërkuar edhe nga partnerë të tjerë ndërkombëtarë që të votojë komisionet e Vettingut.
Rezoluta thekson nevojën dhe urgjencën për Ballkanin Perëndimor për të ecur përpara me reformën në drejtësi, vendosjen e shtetit të së drejtës dhe një sistem drejtësie transparent dhe të pavarur. Partia Popullore Europiane rekomandon që të intensifikohen përpjekjet për luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet, përfshirë politikën dhe në shoqëri.
Në hyrje të rezolutës me 19 pika theksohet se Bashkimi Europian duhet te shpejtoje procesin e integrimit për të mbajtur gjalle një fryme pro ?europiane të vendeve te Ballkanit perëndimor, duke mbështetur aspiratat e tyre, por duke pasur parasysh plotësimin e Kritereve te Kopenhagenit nga këto shtete, me institucione dhe qeveri demokratike, treg ekonomik funksional dhe zgjedhje të lira. Rezoluta u votua me unanimitet. Delegacioni i Partisë Demokratike e votoi në asamblenë politike dhe vetëm disa anëtarë të saj edhe në votimin final, pasi të tjerët ndoqën disa takime bilaterale të kryetarit Basha.
Tv Klan