Katër policët e pikës kufitare të Qafë-Thanës të arrestuar për 8 tonët e kanabisit të kapur në Ankona të Italisë kanë mohuar akuzat.
Para gjykatës së krimeve të rënda ku dolën për verifikimin e masës së sigurisë Ervin Kodra, Çlirim Pepa,Lirim Halili dhe Syrja Terziu kanë thënë se e kishin kryer detyrën e tyre siç duhej.
Ata kanë bërë me përgjegjësi punonjësit e doganës, qe sipas tyre duhet të kontrollonin kamionin me drogë.
Pavarësisht pretendimeve të tyre, togat e zeza kanë lënë në fuqi masën arrest me burg marrë tre ditë më parë.
Sipas prokurorisë, nga këqyrja e kamerave të sigurisë në doganën e Qafë-Thanës u konstatua se policët, të cilët komunikonin shpesh me shoferin maqedonas kanë kryer një kontroll sipërfaqësor të kamionit.
Hetimet zbuluan se punonjësi i policisë në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar nuk e regjistroi shoferin maqedonas në sistemin Tims.
Destinacioni përfundimtar i sasisë rekord të kanabisit ishte Belgjika dhe pas kësaj sasisë sipas prokurorisë qëndron një grup i strukturuar kriminal.
Droga u kap në Ankona, teksa shoferi maqedonas tentoi të braktiste rimorkion me drogë.
Tv Klan