Report TV - Kukës, në 3 fshatra rikthehet uji për tokat pas 26 vitesh mungesë

2017-07-04 4

Rivihet në punë kanali vaditës në disa fshatra të Kukësit. Janë 55 milion lekë që do të investohen në kanalin vaditës i cili do të bëjë të mundur vaditjen e një sipërfaqe mjaft të madhe toke.

Rreth 1500 hektar tokë do të rivitalizohen, pasi prej kohesh atyre u ka munguar uji dhe si pasojë edhe prodhimet bujqësore kanë qenë shumë të pakta.

Ndërkohë që mijëra banorë të zonës tokën e kanë burim jetese. Investimi është i ndarë në dy faza, punimet për fazën e parë kapin vlerën e mbi 29 milonë lekëve dhe kanë nisur prej gati një muaji.

Aktualisht sipas firmës kontraktuese që po kryen punimet për pastrimin e ndërtim e kanalit do të bëhet i mundur dërgimi i ujit në çdo pjesë toke.

Banorët e fshatrave të Njësisë Administrative Shtiqën pohojnë se pastrimi i kanaleve kulluese e vaditëse ka afro 20 vjet pa u pastruar dhe në shumë pjesë është i dëmtuar. Ky investim do të sjellë rigjallërimin e bujqësisë të lënë djerrë.

Kanali vaditës ka një gjatësi totale 16 km dhe nga shfrytëzimi i tij do të vihen nën ujë tre fshatra Nangë, Krenxë dhe Shtiqën.

Ky investim është më i madhi që është dhënë nga qeveria shqiptare për këtë kanal. Sistemi i kanaleve vaditëse në këto vite ka qenë pothuajse inekzistent për arsye të bllokimit të tyre dhe dëmtimit në shumë pjesë të tij.