Report TV - Ndërpritet përfundimisht trageti turistik Ohër- Pogradec, s’ka mol

2017-07-04 2

Dështon projekti i Haxhinastos për tragetin Pogradec-Ohër. Dy vjet më parë ish ministri i transporteve Edmond Haxhinasto prezantoi projektin ambicioz i cili do të rriste numrin e turistëve të cilët do të vizitonin vendin tonë.

Por që në fillim ky projekt kishte problem pasi vendi ku do të ankorohej trageti ishte i papërshtatshëm për shkak të thellësisë, ndërkohë që nuk kishte edhe një mol të mirëfilltë ku mund të zbrisnin pasagjerët.

Në vitin e parë të punë trageti ka funksionuar me hope, ndërsa në vitin e dytë të tij ai ka bërë vetëm disa udhëtime, ndërkohë që pasagjerët janë ankoruar me varka të vogla pasi mungonte infrastruktura.

Pas hasjes së këtyre vështirësive kompania që kishte në pronësi trageti mbylli përfundimisht udhëtimin për në Pogradec. Për këtë vit nuk ka asnjë plan për hapjen e udhëtimeve me traget nga Pogradeci në Ohër dhe anasjelltas.

Si mbikëqyrës i projektit ka qenë Prefekti i qarkut të Korçës Ardit Konomi, i cili ka deklaruar se shkak për ndërprerjen e udhëtimit turistik me traget ka qenë moli i papërshtatshëm.

Konomi gjithashtu theksoi se edhe këtë sezon është shumë e vështirë që të fillojë nga puna trageti Ohër-Pogradec, pavarësisht se kërkesat janë të shumta.