Bashkëkryetari socialist i komisionit të Reformës Zgjedhore, Taulant Balla, ka paralajmëruar ndryshime në Kodin Penal për të ashpërsuar vjedhjen e votës.
Gjatë një tryeze me Shoqërinë Civile, përfaqësues ndërkombëtarë dhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Balla theksoi se komisioni ka afat deri në datën 9 prill për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Balla tha se amendamentet që priten të miratohen janë ato për reduktimin e shpenzimeve të fushatës me ligj, reduktimin e zyrave elektorale si dhe forcimin e masave ligjore ndaj vjedhësve të votës.
"Deri më sot, financat e partive dhe shpenzimet e fushatave, kanë qenë larg atyre që deklarohen. Komisioni i Reformës Zgjedhore ka afat deri në datën 9 prill. Kemi amendamente në Kod dhe ligjin për partitë. Kemi ende dy javë kohë për të reduktuar shpenzimet e fushatës me ligj.
Kolegët e PD-së janë përpjekur ta bëjnë qesharake këtë.
Gjithashtu nevojitet reduktim i plotë i numrit të zyrave elektorale. Ndryshime në Kodin Penal për ndëshkime të krimeve elektorale. Edhe ndonjë kandidat që i shpëton rrjetës së dekriminalizimit, e ka të sigurt se deri sa të marrë mandatin do e kapë rrjeta prapë", u shpreh Balla.