Për herë të parë pas 25 vitesh, Myftinia Elbasan ka marrë në dorë 50 leje legalizimesh për xhamitë e ndërtuara gjatë dekadave të fundit.
Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast ishin të pranishëm, Myftiu i Elbasanit, Agim Duka, deputeti i Elbasanit, Taulant Balla, Drejtori i ALUIZNI-t Mariglen Disha dhe besimtarë myslimanë.
Në fjalën e marrë me këtë rast, deputeti Balla shprehu kënaqësinë që i dorëzon lejet e legalizimit. Balla e ka konsideruar si të shkëlqyer bashkëjetesën fetare që ekziston në Elbasan dhe që sipas tij është shembull në gjithë Shqipërinë dhe një pasaportë evropiane.
"Komuniteti musliman i Elbasanit është një shembull pozitiv për të gjithë Komunitetin Musliman shqiptar. Fryma e bashkëjetesës fetare që karakterizon Elbasanin është një europiane e Shqipërisë sonë", u shpreh Balla.
Myftiu Agim Duka u shpreh se ky ishte një nga momentet më të rëndësishme për komunitetin mysliman në Elbasan pasi për herë të parë, pas 25 viteve, merren në dorë lejet e legalizimit të xhamive pas zvarritjeve të vazhdueshme të hasura nga Gjykatat. Ai ka falënderuar veçanërisht zyrën e ALUIZNI-t në Elbasan për punën e bërë.