Prej 16 vitesh Bashkia e Kamzës po kryen një masakër mjedisore në lumin e Tërkuzës, ku në mënyrë të kundraligjshme depoziton mbetjet e saj urbane pranë rrjedhës së lumit. Sa herë rritet sasia e ujit, rrjedha e saj i merr me vete mbetjet dhe i shpërndan përgjatë gjithë shtratit deri në fshtatrat e Fushë Kujës.
Report Tv ka kryer një investigim për këtë fenomen, që sipas banorëve të zonës po i detyron të braktisin gjithçka dhe të largohen ku të mundin.
11 kilometra nga Tirana, në zonën e quajtur Zall Herr, ndodhet ky vendshkarkim mbeturinash i cili është shumë pranë lumit të Tërkuzës dhe shumë pranë banesave të kësaj zone.
Kamionët, sic shikohet në këto pamje që sjell Report Tv kanë logon e bashkisë së Kamzës vijnë e shkarkojnë aty mbetjet urbane.
Lëvizjet e njerëzve brenda vendrrethimit të dampës, grumbulli i stërmadh i plehrave apo tymi që ngrihet nga djegia e tyre mund të vihen re edhe nga larg.
Mbetje spitalore, sende plastike, goma, qese, janë disa prej objekteve që vëmë re përgjatë rrjedhës së lumit.
Prania jonë aty tërheq vëmendjen e banorëve të zonës, të cilën na ndihmojnë për të gjetur vendin e saktë të depozitimit të mbeturinave.
Ata shprehen se prej vitesh ankesat e tyre, edhe pse të vazhdueshme, nuk merren parasysh, e kjo ka sjellë kohë pas kohe dëme shëndetësore dhe ekonomike për banorët.
Vetëm 10 metra larg vendit ku depozitohen mbetjet urbane ndodhet kjo banesë. Edhe pse nuk do që të identifikohet në kamera, zonja e shtepisë na tregon pasojat që i solli ndërtimi i dampës. Uji në çezë e tyre prej vitesh shkon i ndotur dhe ankesat deri më tani kanë rënë në vesh të shurdhër.