Dy ditët e fundit duket se Lulzim Basha ka hequr dorë nga kushti për qeveri teknike, duke nxjerrë "asin nën mëngë", pikërisht atë që kërkoi disa muaj më parë, shtyrjen e zgjedhjeve parlamentare përtej afatit kushtetues i dekretuar nga presidenti, 18 qershorit.
Risjellja e kësaj kërkese duket e motivuar pikë së pari nga mosorganizimi dhe mospërgatitja e Partisë Demokratike për të dalë në zgjedhjet parlamentare.
Pavarësisht arsyeve që përligjin kërkesën e opozitës, ligjet në fuqi parashikojnë shtyrjen e datës së zgjedhjeve vetëm nëse plotësohet një kusht i vetëm: futjen e vendit në luftë brenda tre muajve që mbeten deri në datën e votimit.
Të paktën, kjo është ajo që thotë Kushtetuta, e cila sanksionon gjendjen e luftës, si të vetmen arsye për të shtyrë përtej katër viteve mandatin e skaduar të një qeverie.
Nëni 65 i Kushtetutës specifikon se ?Kuvendi zgjidhet çdo 4 vjet. Mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë. Në çdo rast, Kuvendi qëndron në detyrë deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri të zgjedhur?.
Është neni 66, ai që specifikon përjashtimet nga ky rregull. ?Mandati i Kuvendit zgjatet vetëm në rast lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo. Kur Kuvendi është i shpërndarë, ai rithirret vetiu?. Kushtetuta nuk njeh asnjë arsye tjetër për shtyrjen e zgjedhjeve.
Nga ana tjetër, afati i mbajtjes së zgjedhjeve përcaktohet qartë në Kodin Zgjedhor. Neni 8 i këtij Kodi përcakton se: ?Zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin apo për njësitë e qeverisjes vendore zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit brenda periudhës që shtrihet nga 15 marsi deri më 30 qershor ose nga 15 shtatori deri më 30 nëntor?.