Shqipëria mbetet një burim domethënës i marijuanës, si edhe vend tranzit për dergesat e kokainës dhe heroinës në tregjet europiane. Në këtë përfundim ka dalë Departamenti Amerikan i Shtetit që publikou raportin ndërkombëtar për strategjinë e kontrollit të lëndëve narkotike.
Siç njofton DASH, ndërsa autoritetet shqiptare deklarojnë rritje të numrit të të arrestuarve dhe shkatërrimin e të mbjellave me kanabis për vitin 2016, nga ana tjetër ka raportime për rritje të kultivimit në marijuanës në vend. Theksi vihet gjithashtu te bashkëpunimi rajonal me policinë italiane dhe shtimi i patrullimit në det dhe në linjat ajrore.
Sipas Departementit Amerikan të Shtetit, me përjashtim të kanabisit, Shqipëria nuk konsiderohet një vend prodhues i drogave kimike apo sintetike. Duke cituar të dhënat e Policisë së Shtetit, DASH thekson se gjatë vitit 2016 janë sekuestruar në total 30 ton marijaunë dhe janë shkatërruar mbi 2.4 milionë rrënjë kanabis. 1349 persona janë arrestuar, për vepra të lidhura me trafikimin e lëndëve narkotike vitin e kaluar.
Dash nënvizon se Shqipëria vijon të marrë asistencën e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian në luftën kundër drogës, si edhe në mbrojtjen e kufijve.
Tv Klan