Familjarët dhe të afërmit e 26 personave që humbën jetën 9 vite më parë kanë bërë homazhe sot në Gërdec, ndërsa nuk ka qenë asnjë zyrtar apo politikan.
Viktimat janë kujtuar sot nga familjarët dhe miqtë e tyre me lot, dhimbje dhe kujtime në memorialin e ngritur në fshatin Gërdec.
Familjarët akuzojnë edhe pas 9 viteve se drejtësia ende nuk është vendosur në vend, ndërsa shprehen se nuk do të heqin dorë deri kur autorët të jenë pas hekurave.
"Mos i harrofshim asnjëherë dhe i kujtofshim gjithmonë. Ata u vranë, nuk u mbytën në det. Më vjen keq që politikanët nuk vijnë njëherë dhe të thonë dicka, tregohen frikacakë.
Shteti nuk është interesuar njëherë sesi jetojmë ne në këtë fshat. Drejtësi nuk ka, marrin votën dhe asgjë.
Gazetarët na janë gjendur në ditët më të vështira" u shpreh Gëzim Deliu. Familja Deliu është një nga familjet më të dëmtuara nga tragjedia e 15 marsit 2008. Të afërmit ishin sot për të vënë lule në vendin ku mbetën të vdekur, Liljana, Jetmiri, Flavio, Irena dhe Qemal Deliu.
Nëntë vjet më parë, Shqipëria u trondit nga një shpërthim vdekjeprurës në Gërdec ku humbën jetën 26 persona, u plagosën 300 të tjerë, ndërsa u rrafshua i gjithë fshati.
Të implikuar në ngritjen e fabrikës së vdekjes ishin familjarë të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe disa ministra të asaj kohe.