Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një tjetër takim me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian të akredituar në Tiranë.
Edhe në këtë takim, i dyti radhazi pas atij të djeshëm, nuk ka qenë e pranishme ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin.
Në përfundim të takimit, Basha është shprehur për mediat se opozita nuk do tërhiqet deri në plotësimin e kushtit të vetëm, krijimin e një qeverie teknike.
"Bëmë të qartë vendimin tonë për të mos u tërhequr nga beteja për zgjedhje të lira dhe të ndershme, deri në realizimin e kushtit të vetëm, që është qeveria teknike. Ishte një bashkëbisedim shumë i frytshëm, për qëllimet europiane të lëvizjes tonë popullore dhe besoj se unë, por edhe kryetarët e partive të tjera të koalicionit dalin nga kjo drekë me më shumë optimizëm për të çuar deri në fund kauzën tonë", u shpreh Basha.