Ish- drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në vitin 1997, Sokol Baraj, u përcoll këtë të diel për në banesën e fundit, pas ndarjes së parakohshme nga jeta në moshën 53-vjeçare pas një infarkti në zemër.
I pari që vuri kurorë me lule në nder të Sokol Barajt ishte Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, i cili u shpreh se Baraj ka dhënë të gjithë kontributin e tij në uniformat blu.
Për të nderuar figurën e Barajt, ishin të pranishëm edhe drejtues të ndryshëm të Institucioneve të vendit figura të njohura të politikës e të policisë.
Sokol Baraj ka mbajtur detyrën e ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit si dhe zv/ministër i Brendshëm. Baraj është vlerësuar për kontributin e tij në goditjen e bandave të armatosura gjatë trazirave të vitit 1997-ës.
Kush ishte Sokol Bara
Sokol Baraj, u lind në Tiranë, më 05.08.1963. Arsimin fillor e ka kryer në vitin 1970-1974, në Lezhë, kohë kur i ati, Mitati, ishte kryetar i Degës së Punëve të Brendshme në këtë rreth, ndërsa arsimin 8-vjeçar e kreu në Tiranë, në vitin 1978. Në periudhën 1978-1982, kreu arsimin e mesëm në Politeknikumin ?7 Nëntori?, dega elektrike, të cilin e përfundoi me rezultate shumë të mira.
Në shtator 1984 filloi arsimin e lartë në shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilën e përfundoi në vitin 1988, duke u diplomuar në specialitetin ?Sigurim?.
Sapo kreu studimet dhe u diplomua, u caktua fillimisht në Degën e Punëve të Brendshme në Durrës, ku gjeti kuadro policie me aftësi të larta profesionale dhe me përvojë të mirë në punë. Ndërkohë, Sokoli, filloi menjëherë studimet pa shkëputje nga puna në Universitetin e Tiranës, Fakultetin Juridik, të cilin e mbaroi në vitin 1993.
Në gusht 1990, u transferua në qytetin e Kavajës, ku kishin filluar trazirat dhe lëvizjet e para për ndryshimet politike në vend. Është i njohur fakti se në atë kohë Kavaja u kthye në epiqendër të revoltave dhe pati shumë konfrontime me Policinë, madje edhe me forcat e repartit special nr. 326, të Policisë. Këtu, Sokoli, pati mundësinë të aftësohej më tej në profesionin e tij të vështirë. Në tetor 1991, u transferua në Drejtorinë e SHIK-ut, në Tiranë, ku shërbeu deri në vitin 1993.
Në fillimin e korrikut 1997 u emërua ?drejtor i Përgjithshëm i Policisë dhe njëkohësisht edhe Zëvendësministër i Punëve të Brendshme?, në vendin e lënë bosh nga Agim Shehu./tvklan.al