Shkarkohet drejtorja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare

2017-06-05 22

Komisioni i Ekonomisë ka shkarkuar drejtoren ekzekutive të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Mbledhja është zhvilluar në sallën e Parlamentit pak minuta përpara se të zhvillohej seanca plenare.

Enkeleda Shehi, bashkëshortja e Dashamir Shehit, i cili po ashtu është anëtar i Komisionit të Ekonomisë është shkarkuar me 9 vota pro dhe 2 kundër. Opozita mungonte në këtë mbledhje, për shkak të bojkotit të parlamentit. Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ishte dakord me largimin e zonjës Shehi nga detyra.

Një javë më parë një raport i bordit mbikëqyrës të AMF-së kërkoi shkarkimin e Enkeleda Shehit. Në arsyetimet e bordit thuhej se drejtorja nuk firmoste vendimet e bordit duke i bërë ato të pavlefshme, ndërsa u bënte presion punonjësve e madje në raste flagrante ka gjuajtur tavolinën me grushte.

Në seancën dëgjimore Shehi nuk i pranoi këto akuza. / TV KLAN