Opozita e Bashkuar: Qeveri teknike ose s’ka regjistrim në KQZ

2017-06-05 1

19 ditë pas nisjes së protestës Partia Demokratike dhe aleatët e saj kanë përshkallëzuar qëndrimin lidhur me zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Në një takim të zhvilluar në orët e mesditës me kreun e opozitës Lulzim Basha, aleatët e djathtë kanë rënë dakord për të mos u regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nëse nuk plotësohet kushti i opozitës për krijimin e një qeverie teknike, si e vetmja garanci për zgjedhje të lira e të ndershme.

Ndonëse ky qëndrim nuk shprehet në deklaratën zyrtare të koalicionit opozitar, burime i thanë televizionit Klan se pa dorëheqjen e Kryeministrit Rama asnjë nga partitë opozitare nuk do të jetë pjesë e garës elektorale të 18 qershorit.

Madje në tryezën e koalicionit opozitar është rënë dakord që edhe ato parti të regjistruara pranë KQZ-së si pjesë e kampit opozitar mes të cilave edhe ajo e Agron Dukës do të ç?registrohen.

Në deklaratën e përbashkët Koalicioni Opozitar shpreh vendosmërinë për të mos lejuar asnjë proces zgjedhor të manipuluar nga krimi në pushtet dhe paratë e drogës, dhe për të vazhduar deri në fitore betejën për zgjedhje të lira dhe të ndershme si interes jetik i Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Kjo lëvizje e orëve të fundit lë të kuptohet se tashmë bojkoti i zgjedhjeve të 18 qershorit është pjesë e strategjisë së opozitës, e cila ka vendosur ngritjen e kuvendeve qytetare për zgjedhjet e lira në mbarë vendin, çka nënkupton shtrirjen e protestave në mbarë vendin, e paralajmëruar më herët edhe nga kreu I demokratëve Basha.

Ky qëndrim vjen vetëm pak orë pas një tjetër takimi që kreu i demokratëve Lulzim Basha zhvilloi me Ambasadorin Amerikan Donald Lu në një prej lokaleve të zonës së ish-bllokut, takim për të cilin nuk u dhanë detaje, por që besohet se është diskutuar për bojkotin parlamentar të opozitës dhe qëndrimin e kësaj të fundit për çështjen e Vetingut.

Tv Klan