TIRANE-Sot është afat i fundit kur në seancë e Kuvendi duhet të miratohet ngritja e komisionit Ad Hoc, që merr në shqyrtim listat e hartuara me kandidatët që do të zbatojnë ligjin e Vettingut.
Ky komision përbehet nga gjashtë anëtarë, tre nga shumica dhe tre nga opozita parlamentare dhe merr në shqyrtim listat e hartuara nga Avokati i Popullit dhe vlerësimet nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, për të përcaktuar kandidaturat që do ti nënshtrohen kontrollit në dy komisionet e tjera. Ngritja e Komisionit Ad Hoc te Kuvendit mund të miratohet me shumicë të thjeshtë (pra edhe pa opozita). Ndërkohë maxhoranca dhe opozita duhet të propozojnë anëtarët për përbërjen e këtij Komisioni. Nëse opozita nuk përcakton emrat e përfaqësuesve të tyre në komisionet Ad Hoc, procesi i Vettingut s?mund të nis të zbatohet.
Ndërkaq dy komisionet e tjera, përzgjedhëse, janë të përbëra respektivisht nga 6 dhe 12 anëtarë secili, me pjesëmarrje të barabartë të shumicës dhe pakicës parlamentare.
Komisioni ad hoc me gjashtë anëtarë duhet te përzgjedh anëtarët e Kolegjit të Apelimit duke zgjedhur, me votim të fshehtë elektronik, shtatë gjyqtarë titullarë dhe dy kandidatë zëvendësues.
Komisioni ad hoc me 12 anëtarë përzgjedh 12 anëtarët e komisionit të rivlerësimit, dykandidatët zëvendësues, dy komisionerët publikë dhe dy kandidatët zëvendësues për komisioner publik.