Mazhoranca qeverisëse synon të shtojë me ligj masat e sigurisë, për t?iu përgjigjur në kohë dhe me efikasitet çdo skenari për destabilizimin e vendit, prishjen e rendit dhe të qetësisë publike, si dhe situatave të emergjencave civile.
Në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar një projektligj, i cili ndër të tjera parashikon ngritjen e Policisë Vullnetare, strukturë mbështetëse e Policisë së Shtetit. Projektligji ndryshon ligjin për Policinë e Shtetit, duke parashikuar Policinë Vullnetare ose Policimin Vullnetar. Kjo strukturë e re do të jetë një bashkim vullnetar i kontributeve të vetëofruara nga shtetasit shqiptarë, për t?i ardhur në ndihmë Policisë së Shtetit, kryesisht për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike. Grupi i qytetarëve do të ndihmojë gjithashtu Policinë e Shtetit për parandalimin e krimit dhe përballimin e situatave të emergjencave civile.
Ndërkaq, projektligji, i cili pritet të miratohet në ditët në vijim në Parlament, ngarkon Këshillin e Ministrave për miratimin e një vendimi, i cili rregullon organizimin, funksionimin dhe fushën e Veprimit të Policimit Vullnetar. Ligji ka shkuar në Kuvend pikërisht katër muaj para zgjedhjeve të 18 Qershorit, kur ka një risk më të madh për rritjen e kriminalitetit.