Prokurorët që shërbejnë në rrethe të ndryshme të vendit, posedojnë një pasuri po aq paradoksale dhe të dyshimtë sa edhe gjyqtarët. Ndërkaq, ndonëse me pagë të barabartë, njerëzit e akuzës në Tiranë rezultojnë më të pasur dhe me më shumë burime të ardhurash se sa prokurorët e rretheve.
Por, edhe mes prokurorëve të rretheve vihen re diferenca të theksuara, ndonëse burimi kryesor i të ardhurave të tyre janë pagat e tyre dhe të bashkëshorteve.
Teksa Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka nisur kontrollin e pasurive të njerëzve të drejtësisë për llogari të organeve të Vetingut, zbardhet pasuria e prokurorëve në rrethe të ndryshme të vendit. Disa prokurorë rezultojnë me borxhe dhe jetojnë prej vitesh me qera, ndërsa kolegët e tyre deklarojnë disa apartamente, gomone, vila, biznese dhe makina të shtrenjta.