Rama: I hapur për dialog me opozitën, por jo për qeveri teknike

2017-06-04 1

Kryeministri Edi Rama shprehet i gatshëm të ulet në tryezë me opozitën për të biseduar lidhur me kërkesat e saj. Megjithatë kreu i qeverisë thotë se jo çdo kërkesë e saj mund realizohet. E tillë duket të jetë edhe ajo për qeveri teknike, gjë për të cilën sipas Ramës ka vendosur populli.

?Me opozitën nuk kemi çfarë të negociojmë por kemi çfarë të bisedojmë. Ne jemi gati të dëgjojmë dhe propozimet konkrete të opozitës. E vetmja gjë që nuk bisedojmë dot. Mund ta bisedojmë por nuk vendosim dot ne është ajo çka me Kushtetutë i takon sovranit. Sovrani vendos kush është në qeveri apo opozitë. Kjo punë është ndarë, dhe ne jemi në zbatimin e një kontrate që nuk ka skaduar akoma?.

Por me një opozitë jashtë dyerve të Kuvendit, sa shanse ka ngritja e komisioneve ad hoc që do të bëjnë vettingun, teksa të hënën deputetët janë thirrur në një seancë të jashtëzakonshme plenare?

?Është momenti që PD të mos shpërdorojë mekanizmin e kompromisit të nevojshëm që është i shkruar në Kushtetutë duke i dhënë qeverisë e opozitës akses të barabartë në përzgjedhjen e anëtarëve të vettingut. Opozita ka detyrimin të zbatojë Kushtetutën dhe të mos fshehë kokën përballë një detyrimi të madh publik duke qëndruar në çadër. Në çadër mund të qëndrojë për arsye të tjera por jo për vettingun. Megjithatë vettingun nuk e ndal dot askush. Ju siguroj për këtë. Vettingut dhe reformës në drejtësi i ka ardhur koha dhe nuk e ndalon asnjeri?

Këto deklarata kryeministri Rama i bëri pas firmosje së peticionit për vetting-un vetëm pak metra larg çadrës së ngritur nga opozita në bulevard./ TV KLAN