Basha: Nuk ka negociata, por dialog vetëm për qeveri teknike

2017-06-04 1

Qeveria teknike është një kusht i panegociueshëm për opozitën. Vetëm pak metra larg çadrës ku kryeministri Edi Rama iu bashkua peticionit për vettingun, Lulzim Basha nga një tjetër çadër ku prej dy javësh opozita proteston tha prerazi se do të ulet në tryezën e dialogut me kundërshtarin e tij politik vetëm për largimin e kësaj qeverie.

?Nuk ka bisedime, nuk ka negociata, ka vetëm dialog për të përcaktuar largimin e tyre dhe ardhjen e një qeverie teknike, teknike që padyshim kërkon mbështetje dhe vullnet të gjerë politik. Por, do të jetë qeveri teknike, nuk do të negociojmë futjen tonë në qeveri, jo. Ne do të jemi opozita derisa qytetarët shqiptarë me votën e tyre të lirë dhe të ndershme do të vendosin se kush do të qeverisë në këtë vend.?

Pa zgjedhje të lira tha kreu i demokratëve nuk mund të ketë zbatim të vettingut.

?Nëse e do vettingun hap rrugën për qeveri teknike dhe do të ketë vetting të vërtetë me prokurorë dhe gjyqtarë të pakapur që do të nisin menjëherë investigimet për korrupsionin, krimin dhe politikën e lidhur me të?

Një mesazh e pati edhe pas deklaratave të bëra të premten nga Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Frederica Mogherini, se vettingu është kusht për hapjen e negociatave.

?Tani po na thonë bëjeni vettingun se do të hapim negociatat. Kësaj në shqip i themi broçkulla, në anglisht ka një fjalë, bullshit. Broçkullat ti mbajnë për vete, koha kur shqiptarëve u jepnin bar dhe gënjeshtra kanë mbaruar një herë e mirë. Këta janë shqiptarët sot, këta janë shqiptarët e mi, këta janë europianët e mi; mbajini broçkullat për vete. Lërini lojërat politike, lërini keqpërdorimet dhe gënjeshtrat me Europën që mezi priskan të hapë dyert me vettingun. Europa i ka vënë kushtet dhe kushti i kushteve është demokracia.?

Basha lëshoi akuza në adresë të ministrave të qeverisë, të cilët i akuzoi për korrupsion dhe lidhje me krimin e bandat./ TV KLAN