Avokati i Popullit përmbylli mbrëmjen e së premtes procesin e përzgjedhjes së kandidaturave që do të plotësojnë dy komisionet që do të bëjnë vlerësimin e figurës për gjyqtarët dhe prokurorët i njohur si Vettingu. Mësohet se ky institucion i ka dërguar Kuvendit zyrtarisht dy lista, megjithëse Kushtetuta në nenin C pika 10 thotë në mënyrë të qartë se ?Emrat e kandidatëve të përzgjedhur nga dy komisionet ad hok përmblidhen në një listë të vetme dhe i dërgohen Kryetarit të Kuvendit?.
Në njërën prej listave janë 29 emrat që sipas vlerësimeve të bëra i plotësojnë kriteret për të qenë pjesë e garës, ndërsa në listën tjetër figurojnë 164 kandidatura që nuk i plotësojë të gjitha kriteret. Burime të Tv Klan thanë se Avokati i Popullit i ka dorëzuar Kuvendit edhe një zarf të mbyllur me vlerësimet për çdo kandidaturë nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. ONM dha rekomandim negativ për 8 kandidatë nga lista e emrave të kualifikuar, ndërsa sugjeron se 79 aplikantët e tjerë që rezultojnë me probleme dokumentacioni mund të rishihen sërish për tu bërë pjesë e garës.
Në një letër drejtuar Avokatit të Popullit, Henoveva Ruis Kalavera sugjeron që procesi mund të nisë edhe pse nuk plotësohet numri i kandidatëve të kërkuar dhe për vakancat mund të ketë një fazë të dytë procesi.
Mbetet e paqartë si do të veprohet pasi sipas Kushtetutës në rast se Kuvendi nuk e miraton listën e kandidatëve në bllok, Kryetari i Kuvendit ia kthen atë komisioneve ad hoc për përsëritjen e procesit të përzgjedhjes dhe dërgimin e një liste të dytë brenda 10 ditëve.
Të hënën pasdite Kuvendi do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme për të hapur procedurën dhe ngritur komisionet ad hok që do të bëjnë Vettingun. Për të ngritur këto komisione duhet shumicë e cilësuar, ndaj nuk dihet ende si do të veprohet për shkak të bojkotit të opozitës./ TV KLAN