Shpallet në kërkim Shefi i Rendit në policinë e Kurbinit

2017-06-04 0

Ylli Vata shef i Rendit në Policinë e Kurbinit është shpallur në kërkim i dyshuar si pjesë e një grupi kriminal që kultivonte kanabis në këtë zonë. Gjykata për të ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg prej 13 shkurtit, datë e cila perkon me ditën e tij të fundit në punë.

Nga hetimet e prokurorisë për krimet e rënda është faktuar se oficeri Vata duke qënë epror i policëve të zonave ka ndikuar tek ata që të mos kryejnë detyrën për të mledhur informacion mbi mbjelljen e kanabist.

Emri i zyrtarit të policisë doli në muajin nëntor ku në një aksion u arrestuan 7 persona ,ndër ta dhe vartësi i tij, inspektori Zan Kasmi.

Prokuroria thotë se, është provuar se Lefter Neli edhe ky i arrestuar ka organizuar dhe krijuar një mekanizma të përshtatshme për kultivimin e bimës narkotike në zonat e malësisë së Kurbinit. Po ashtu, nga hetimi rezulton se, për këtë aktivitet, ai ka marrë sigurinë se nuk do të cënohet nga forcat e policisë së komisariatit të Kurbinit. Grupi kishte të siguruar edhe tregtimit të lëndës narkotike pas procesit të përpunimit.

Pas arrestimit të këtyre personave prokuroria vijoji hetimin. Gjatë kësaj kohe u konstatua se një sasi relativisht e madhe bimësh narkotike nuk është asgjësuar edhe pse grupi i kontrollit, i drejtuar nga Shefi i Rendit Ylli Vata, kishte qenë në këto vende dhe nuk ka asgjësuar drogën. Prej dy javësh zyrtari i policisë është kërkuar në disa vende por nuk është gjetur. Në bazë të sistemit TIMS ai ndodhet ende në territorin shqiptar pasi rezulton që nuk e ka kaluar kufirin. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që ketë kaluar kufirin ilegalisht.

/ TV KLAN