Shpallet në kërkim Shefi i Rendit në policinë e Kurbinit

2017-06-04 1

Ylli Vata, Shef i Rendit në policinë e Kurbinit është shpallur në kërkim, i dyshuar si pjesë e një grupi kriminal që kultivonte kanabis në këtë zonë. Gjykata për të ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg prej 13 shkurtit, datë e cila përkon me ditën e tij të fundit në punë.

Nga hetimet e Prokurorisë për Krimet e Rënda është faktuar se oficeri Vata duke qenë epror i policëve të zonave ka ndikuar tek ata që të mos kryejnë detyrën për të mbledhur informacion mbi mbjelljen e kanabisit.

Emri i zyrtarit të policisë doli në muajin nëntor ku në një aksion u arrestuan 7 persona ,ndër ta dhe vartësi i tij ,inspektori Zan Kasmi.

Prokuroria thotë se, është provuar se Lefter Neli edhe ky i arrestuar ka organizuar dhe krijuar një mekanizma të përshtatshme për kultivimin e bimës narkotike në zonat e malësisë së Kurbinit.

Po ashtu, nga hetimi rezulton se, për këtë aktivitet, ai ka marrë sigurinë se nuk do të cënohet nga forcat e policisë së komisariatit të Kurbinit. Grupi kishte të siguruar edhe tregtimit të lëndës narkotike pas procesit të përpunimit.

Pas arrestimit të këtyre personave prokuroria vijoji hetimin. Gjatë kësaj kohe u konstatua se një sasi relativisht e madhe bimësh narkotike nuk është asgjësuar edhe pse grupi i kontrollit, i drejtuar nga Shefi i Rendit Ylli Vata, kishte qenë në këto vende dhe nuk ka asgjësuar drogën.

Në bazë të këtyre të dhënave hetuesit krijuan bindjen se Lefter Nelaj bashkëpunonte ngushte me efektivin Ylli Vata./ TV KLAN