Për herë të parë zbulohet mekanizmi se si Shkëlzen Berisha, gjatë pushtetit të babait të tij, Sali Berisha, ka fituar qindra mijëra euro në vit si ndërmjetësues fiktiv, për shitjen dhe blerjen e pronave, mes kompanive që dyshohet se kanë të njëjtën pronar, mes të njëjtëve njerëz dhe në të njëjtën zonë.
Shqiptarja.com zbardh kontratat, sipas të cilave dyshohet se Shkëlzen Berisha ka marrë 350 mijë euro nga Ismail Mulleti, biznesmeni i njohur për lidhjet e shumëfishta me Partinë Demokratike, por që në dokumente rezulton sikur i ka marrë nga dy persona të ndryshëm.
Personazhi kyç, me anë të cilit Mulleti i ka dhënë si bakshish Shkëlzen Berishës, në dy pagesa, 200 mijë euro dhe 150 mijë euro, është Entela Shehaj.
Kjo e fundit rezulton administratore e kompanisë Stellar Real Estate Investmens Albania sh.p.k, e cila ka lidhur një kontratë me Shkëlzen Berishën për shitjen e rreth 50 mijë m2 tokë, në këmbim të një pagese prej 150 mijë eurosh.
Toka ndodhej në njëjtën zonë kadastrale në Durrës, në fshatin Rinia, ku rezulton se kanë blerë prona sekseri i famshëm i qeverisë Berisha, Damir Fazlliç dhe e bija e ish-kryeministrit, Sali Berisha, Argita Berisha.
Pra, bëhet fjalë për të njëjtën zonë gjeografike, ku kanë bërë pazaret me pronat Argita, Shkëlzeni, Fazlliçi, Mulleti, Shehaj etj. Zona ku sipas një vendimi te qeverise Berisha te nëntorit 2008 duhej të zgjerohej parku energjetik i Porto Palermos duke e rritur kështu në mënyrë drastike vlerën e tokës.