Report TV - Tiranë, prishet tregu te Spitali Nr.5 Bashkia: Ja zgjidhja për tregtarët

2017-06-04 6

Policia Bashkiake ka nisur një aksion për prishjen e tregut pranë Spitalit Nr.5 në Tiranë, i cili do të zhvendoset në një hapësirë tjetër të dedikuar.

Ky aksion i nisur në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure, ka sjellë edhe përplasjen e Policisë Bashkiake me tregtarët romë.

Sipas Bashkisë së Tiranës, tregu do zhvendoset nga ambientet pranë këtij spitali për ta lënë atë hapësirë të lirë, por ka hasur në kundërshtimin e tregtarëve, të cilët nuk pranojnë të largohen.

Gjatë përplasjes me policinë bashkiake një prej tregtareve rome të këtij tregu ka pësuar gjendje të fikti. Asaj i është dhënë ndihma e menjëhershme mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia Bashkiake: Tregtarët u njoftuan dy javë më parë
Policia bashkiake e Tiranës ka njoftuar se tregtarët romë te Spitali Nr.5 janë njoftuar dy javë më parë për zhvendosjen e tregut në datën 1 mars.

Ndërsa dy ditë më parë janë njoftuar personalisht të gjithë tregtarët.

"Aksioni ka nisur që në orën 5 të mëngjesit. Ju është dhënë mundësia që të lëvizin mallin nga tregu informal i Shkollës së Bashkuar dhe Rruga Kongresi i Manastirit", thuhet në reagimin e policisë bashkiake.