Protesta e Partisë Demokratike te çadra përpara Kryeministrisë ka hyrë në ditën e 11.
Opozita është ngujuar në të ashtuquajturën "Çadra e Lirisë" që prej mesditës së datës 18 shkurt.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka renditur disa kushte për të dalë nga protesta, kauza e të cilës mbeten zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Kreu i opozitës insiston për krijimin e një qeverie teknike e cila sipas tij do garantonte zgjedhjet e 18 qershorit.
Një tjetër kusht i PD mbetet edhe votimi elektronik, pavarësisht se realizimi i të cilit ka pak gjasa të marrë dritën jeshile për arsye teknike.
Protestës së PD në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" i janë bashkuar mjaft figura të opozitës, ndërsa kryetari Basha ka ashpërsuar edhe retorikën politike, duke paralajmëruar për dhunë.
Për këtë arsye, Prokuroria ka regjistruar edhe padinë e ngritur nga Policia pas thirrjeve për dhunë të cilat bien ndesh me Kodin Penal.