Kampioni i ri i Ballkanit në kërcim së gjati Izmir Smajlaj do të synojë suksesin edhe në Kampionatin Europian që do të zhvillohet pas pak ditësh sërish në Beograd.
Atleti shkodran njëkohësisht ka shprehur edhe emocionet që ka provuar dy ditë më parë në kryeqytetin e Serbisë kur ka parë të valëvitet flamuri shqiptar.
"Ishte një emocion i madh që ngrita flamurin shqiptar me krenuar Shkodrën dhe më pas kombin shqiptar. Ishte një rezultat shumë i mirë dhe premton shumë për kampionatin Europian dhe pretendoj zonën e medaljeve" tha ai.
Smajlaj ka besim se edhe në Europian do të arrijë të bëjë një paraqitje të mirë.
"Besoj që do të arrij mbi 8 metra, kam besim në vetë dhe besoj që do të arrij" tha ai.
Garat e kampionatit Europian të sallave të mbyllura do të zhvillohen në datat 3-4 mars në Beograd dhe tashmë sytë e të gjithë shqiptarëve do të jenë të drejtuara sërish nga Izmir Smajlaj, duke pritur një tjetër sukses të tij.