Kryeparlamentari Ilir Meta ka folur nga qyteti i Elbasanit për ndryshimin e Maturës Shtetërore. Sipas tij, LSI do të mbështesë kërkesat e të rinjve të kësaj force për një proces mature transparent dhe bazuar në meritokraci.
?Unë mbështes plotësisht të gjitha propozimet e LRI-së për një administrim më transparent të maturës shtetërore dhe të aplikimeve për universitet në mënyrë që ky proces të jetë i pagabueshëm, dhe të bazohet fuqimisht dhe vetëm në transparencë, në gjithëpërfshirje dhe në meritokraci.
Ajo që na duhet është energjia pozitive, është bashkëpunimi, është një edukim më i mirë dhe më cilësor për të rinjtë tanë, është një formim profesional, dhe është mbrojtja e interesit kombëtar dhe publik në çdo vendim të rëndësishëm që politikanët marrin në Tiranë dhe në Elbasan?, - tha Meta.
Duke folur para gjimnazistëve, Meta shprehu keqardhjen që politika shqiptare vë në diskutim ende zgjedhjet dhe standardet e zgjedhjeve pas 26 vjetësh në një vend anëtar të NATO-s, kandidat për në BE.