Në aksion kundër kanabisit, kontrolle masive në të gjithë vendin

2017-06-03 3

Policia e Shtetit ka dhënë këtë të premte detaje mbi operacionin masiv dy ditor, të zhvilluar në të gjithë vendin, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Në këtë operacion u angazhuan 3100 forca policore. Ai nisi mëngjesin e datës 22 Shkurt dhe përfundoi në orë 19:00 të datës 23.

Në shkallë vendi, sqaron policia, u ushtruan 6901 kontrolle në total, nga këto: 5113 sera, 235 tunele, 692 ish -rezerva dhe magazina shtetërore, 314 ish - reparte ushtarake, 258 banesa të pabanuara dhe 286 objekte të ndryshme.

Operacioni në zbatim të Planit të Veprimit i firmosur nga Ministri i Punëve të Brendshme "Për evidentimin dhe goditjen e fenomenit të sigurimit të farës, kultivimit të fidanëve dhe bimëve narkotike (Cannabis Sativa) në sera diellore, tunele të braktisura, ish rezerva shtetërore dhe në çdo ambjent tjetër të mundshëm që mund të përdoret nga grupet kriminale.

Në çdo Drejtori Vendore të Policisë në Qarqe, u ngritën dhe funksionuan grupet e drejtimit dhe monitorimit, me pjesëmarrje edhe të strukturave të SHÇBA-së, Kufirit dhe Krimit të Organizuar.

Këto grupe drejtimi monitoruan në të gjithë territorin, kontrollin e ushtruar nga strukturat e Policisë së Shtetit.

Policia në bashkëpunim me kryetarët e fshatrave ushtruan kontrolle në sera, stalla, shtëpi të braktisura pasi mund të jenë vendet e mundshme për kultivimin e fidanëve të bimëve narkotike.

Kontrollet u ushtruan edhe në të gjitha tunelet e braktisura të ushtrisë, të ish rezervave të shtetit, si dhe në ambiente të tjera për të cilat disponoheshin informacone apo kishte dyshime se mund të përdoren për të kultivuar bimë narkotike në kubikë e fidanë.

Të gjitha ambientet që ishin me pronar pasi përfundoi kontrolli, pronarët firmosën deklaratë se këto ambiente nuk do të përdoren për kultivim të bimëve narkotike.

Edhe për ambientet dhe objektet pa pronar, është mbajtur procesverbal i firmosur nga pjestarët e grupeve të kontrollit.

Gjithashtu të gjitha ambientet apo objektet e kontrolluara nga Policia gjatë këtij operacioni masiv, janë fotografuar dhe filmuar nga ekspertët e policisë.

Në të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë në Qarqe u analizua dhe do analizohet edhe në ditët në vijim, çdo informacion policor apo i marë nga komuniteti, në lidhje me personat që sigurojnë farën e bimës Cannabis Sativa, personat që e blejnë dhe kultivojnë bimë narkotike, personat që blejnë në farmacitë bujqësore pesticide antiparazitarë, që sigurojnë pleh organik dhe gota plastike me shumicë.

Kontrollet për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike do të vijojnë çdo ditë në territorin e çdo Drejtorie Vendore të Policisë së Qarqeve./tvklan.al

Free Traffic Exchange