Report TV - Meta rrëzon PD: Nuk ka qeveri teknike, respektojmë koalicionin

2017-06-03 0

Kryetari i LSI, Ilir Meta i është përgjigjur indirekt kërkesës së demokratit Lulzim Basha për krijimin e një qeverie teknike, me qëllim organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në 18 qershor.

Në një dalje për mediat, kryetari i LSI, Ilir Meta, iu përgjigj ftesës së PD për qeveri teknike duke theksuar se forca politike që ai drejton është në një formacion qeverisës ku ka përgjegjësitë e saj.

Përgjigjja e Metës është edhe një refuzim i qartë pas insistimit të opozitës se kushti për zgjedhje të lira dhe demokratike më 18 qershor është pikërisht qeveria teknike.

"Ka qenë një përgjigje e qartë më parë. Ne vazhdojmë me këtë koalicion, të përmbushim detyrimet dhe përgjegjësitë tona cdo ditë, çdo javë që vjen. Të gjithë kemi përgjegjësi të mëdha për të përmbushur", u shpreh Meta.

Sa i takon protestës së PD, Meta tha se dialogu është e vetmja rrugë për t'i dhënë zgjidhje çështjeve që ngrihen.