Teksa opozita ka bojkotuar dhe po proteston mes zyrës së Metës dhe Ramës, dy drejtuesit e koalicionit qeverisës kanë darkuar së bashku në Tiranë.
Takimi i tyre nisi rreth orës 21:00 dhe nuk u bë publik asnjë informacion zyrtar. Referuar kontekstin politik aktual, mendohet se dy drejtuesit e koalicionit kanë biseduar për protestën e opozitës, kërkesën e tyre për qeveri teknike si dhe bllokimin e procesit të Vettingut prej mos pjesëmarrjes së opozitës.
Rama publikisht ka mbajtur qëndrim të prerë se respekton protestën por nuk pranon qeverinë teknike, ndërsa Meta, ka mbajtur një qëndrim të ftohtë duke shprehur gatishmëri për të përmbushur kërkesat që praktikisht janë të mundshme, edhe pse u shpreh kundër ultimatumeve.
Teksa ngërçi i krijuar për komisionet e vettingut është serioz dhe ka afate, gjetja e një zgjidhjeje është një sfidë e re për mazhorancën qeverisëse.
Se si do të veprojnë Rama dhe Meta e çfarë do të prodhojë darka e sotme mes tyre, pritet të shihet nga sjellja e dy liderëve.