Report TV - Konflikti, bllokimi i Vettingut nga PD alarmon SHBA dhe BE

2017-06-03 0

Rikthehet konflikti mes Perëndimit dhe opozitës shqiptare për zbatimin e Reformës në Drejtësi. Bllokimi i procesit të Vetingut nga Partia Demokratike, me anë të bojkotit të Kuvendit, ka alarmuar si dhe ka vënë edhe një herë në lëvizje përfaqësitë diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në Tiranë.

Pas një beteje epike për ta rrëzuar në Komisionin e Venecias dhe më pas në Gjykatën Kushtetuese, Partia Demokratike ka nisur lëvizjen e tretë për bllokimin dhe shtyrjen e procesit të Vetingut, i cili rrezikon shpërbërjen e sistemit aktual të drejtësisë.

Pavarësisht investimit historik të faktorit ndërkombëtar, mbështetjes nga shumica e shqiptarëve dhe konfirmimit të ligjshmërisë së procesit nga Gjykata Kushtetuese, Partia Demokratike ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në votimin e kandidatëve për organet e Vetingut, pasi për të, parësore është garantimi i zgjedhjeve të lira. Në këtë kuadër, zhbllokimin e Vetingut, opozita po e përdor si presion dhe kusht për mundësimin e qeverisë teknike ose për të marrë ndonjë garanci se nuk do të preket nga institucionet e reja antikorrupsion.