Heqja e mandatit të Armando Prengës, një tjetër i dënuar në Parlament

2017-06-03 28

Kastriot Piroli pritet të zëvendësojë Armando Prengën në Parlament, pas kërkesës së prokurorisë për heqjen e mandatit të deputetit të qarkut të Lezhës, i cili është subjekt i ligjit të dekriminalizimit.

Por Piroli, i cili pason listën e kandidatëve socialistë në zgjedhjet e 2013-ës rezulton të ketë probleme me drejtësinë, pasi është person i deklaruar fajtor nga Gjykata e Shkallës së parë të Kurbinit për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe falsifikim dokumentesh gjatë kohës që ishte në krye të hipotekës së këtij rrethi.

Kastriot Piroli është arrestuar në 11 mars të 2015 dhe është liruar nga Gjykata e Kurbinit, me argumentin se e ka kryer dënimin për akuzat e ngritura gjatë periudhës së paraburgimit. Asokohe prokuroria kërkoi tre vite burg për ish drejtorin e Hipotekës së Kurbinit.

Por vetë Piroli ka deklaruar se ka kryer vetëm dy muaj burg dhe se ndaj tij nuk ka një vendim të formës së prerë, për të cilën thotë se e ka në Apel.

Për sa kohë gjykata nuk e ka thënë fjalën e fundit për akuzat e ngritura ndaj ish-drejtorit të Hipotekës së Kurbinit, Kastriot Pireli mund të zërë vendin e Prengës në Parlament.

Në rast se edhe apeli e shpall fajtor, atëherë bazuar edhe në ligjin e dekriminalzimit, Kastriot Pireli do të duhet të ngrihet nga karrigia e deputetit dhe në vend të tij duhet të ulet pasuesi në listë që është Mirela Neli./ TV KLAN

Free Traffic Exchange