TIRANE-Komisioni Qendror i Zgjedhjeve diskutoi në mbledhjen e sotme një udhëzim që pengon partinë e Ben Blushit, ?LIBRA? që të regjistrohet në KQZ për të marrë pjesë në zgjedhjet e qershorit.
Në këtë udhëzim parashikohet që çdo parti që kërkon të regjistrohet për të marrë pjesë në zgjedhje duhet që të mbledhë 5 mijë firma.
Por në Kodin Zgjedhor është e parashikuar që firmat për anëtarësim janë të nevojshme për partitë që në 6 muaj para regjistrimit nuk kanë deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Por ky parashikim në kodin zgjedhor është interpretuar në mënyra të ndryshme nga palët në KQZ. Për këtë udhëzim ka reaguar edhe deputeti Ben Blushi, i cili u shpreh se LIBRA do të bëjë të pamundurën që të garojë në zgjedhjet e qershorit.
Ky udhëzim shkaktoi debate në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Një nga anëtarët e KQZ-së, Hysen Osmani ka kërkuar që të shtyhet diskutimi për këtë çështje pasi nuk janë të qartë.
Por kryetari i KQZ, Denar Biba tha se reagimi i partive të vogla bëhet për t?i bërë publicitet vetes.
Menjëherë reagoi deputetja Mimoza Hafizi e cila i kërkoi Bibës të specifikojë për cilat parti të vogla e ka fjalën.
Hafizi kërkoi që të mos kishte shtyrje të diskutimit por gjithçka të mbyllej ditën e sotme, por me votim unanim, KQZ vendosi që diskutimi për këtë temë të lihej për mbledhjen e radhës.
Po në mbledhjen e sotme KQZ pritet të miratojë regjistrimin për pjesëmarrje në zgjedhje të Partisë Agrare Ambientaliste dhe Partisë së Gjelbër.