Qeveria ka miratuar një vendim të ri, ku u jep shtesë në pagë punonjësve të Policisë së Shtetit. Sipas këtij vendimi shtesa në pagë përfitohet jo vetëm për punën jashtë orarit apo ditët e festive, por edhe për punën brenda orarit zyrtar që kryhet pas orës 19:00.
Në këtë mënyrë policët do të marrin 20% shtesë mbi pagën për çdo orë pune që kryhet nga ora 19:00 deri në orën 22:00. 50% shtesë për çdo orë pune të kryer nga ora 22:00 deri në orën 6 të mëngjesit. Gjithashtu merret 25% për çdo orë pune të kryer në ditët e festave zyrtare dhe ditët e pushimit javor.
Sipas vendimit koha normale e punës për policët është 40 orë në javë, por me urdhër të titullarit mund të ketë edhe orë shtesë. Ndërkohë punonjësit e policisë do të mund të përfitojnë nga 30-40 ditë pushimi në vit.
Punonjësit me gradën Drejtues dhe Drejtues Madhor kanë 40 ditë pushim në vit, ata me gradë Nënkomisar, Komisar dhe Kryekomisar, kanë 35 ditë pushimi dhe policët më gradën Inspektor, 30 ditë pushimi vjetor. Gjithashtu punonjësit e policisë do të marrin leje të pagueshme në rast martesë, lindje fëmije, apo edhe në rast se ndërrojnë banesën.
20 % për çdo orë pune e shërbimi të kryer nga ora 19:00 deri në orën 22:00.
50 % për çdo orë pune e shërbimi të kryer nga ora 22:00 deri në orën 6:00.
25 % për çdo orë pune të kryer në ditët e festave zyrtare dhe ditët e pushimit javor.