Problemi i 30 mijë apartamenteve të blera nga qytetarët por të mbetura të pahipotekuara, mund të zgjasë për vite të tëra.
Shoqata e Ndërtuesve thotë se zgjidhja e problemit nuk varet nga ndryshimet ligjore të ndërmarra së fundmi, por nga vullneti i institucioneve për të pajisur qytetarët me tapi.
Madje, sipas Drejtorit të Shoqatës, Maksim Muçi, me ndryshimet e fundit ligjore është hedhur një hap prapa, pasi vetëm në Tiranë do të rishqyrtohen 400 pallate, dosjet e të cilave janë përfunduar tërësisht që në vitin 2010.
Ndërsa komenton rritjen prej 4.6% të çmimeve të apartamenteve, Drejtori i Shoqatës së Ndërtuesve thotë se ajo ka ardhur për shkak të taksave të reja dhe jo nga shtimi i kërkesës.
Ndryshimet në ligjin e legalizimeve u japin mundësinë qytetarëve të aplikojnë vetë për hipotekimin e apartamenteve në rastet kur firmat kanë falimentuar, apo nuk marrin përsipër ndjekjen e procedurave.