"Ndihem i penduar, pranoj akuzën". Këto kanë qenë fjalët e vetme të ish-policit të kompanisë private, Fation Xhyliu para gjykatës së Tiranës, pasi u njoh me masën 'arrest me burg' së bashku me bashkëpunëtorin tjetër, ish- komandon Ditjon Memlika.
Një ditë pas arrestimit dy nga katër të arrestuarit për grabitjen e blindave me paratë e bankës ditën e enjte në Qafë Kashar kanë dalë para trupit gjykues të Gjykatës së Tiranës.
Pasi u njoh me kërkesën e prokurorisë dhe provat e paraqitura, Gjykata e Tiranës vendosi të vlerësojë të ligjshëm arrestimin e Fation Xhyliut dhe Ditjon Memlikës.
Pas seancës për caktimin e masës së sigurisë ndaj dy të dyshuarve të parë si grabitës Xhyliu e Memlikaj reagoi dhe prokurori i çështjes Ervin Karanxha duke deklaruar se hetimet janë të hapur dhe do të ketë të tjerë të arrestuar.
Avokati i Fation Xhyliut, Arben Peci u shpreh për mediat pas mbarimit të seancës gjyqësore për masën e sigurisë, se arresti me burg është anti-ligjor, ndërsa klienti, sipas tij është marrë në pyetje pa praninë e një avokati.
"Gjykata në mënyrë anti ligjore vendosi masën arrest me burg. Dua të evidentoj që të drejtat ligjore për të ndaluarin është shkelur.
Pasi është marrë në pyetje pa avokat mbrojtës, nuk është lejuar që unë ta përfaqësoj. Deri tani nuk ka asnjë status ligjor. Fation Xhyliu është ndier i penduar" deklaroi ai.
Ndërsa Ditjon Memlika nuk kishte dhe u caktua kryesisht nga gjykata..
Fation Xhyliu tregon si i përgatisnin grabitjet
ReportTv ka mësuar se Xhyliu ka treguar adresat e banesave të pjesëtarëve të grupit, vendet ku fshiheshin lekët, numrat e telefonit që përdorte ky grup dhe mjetet e tyre.
Po ashtu ai ka treguar se për cdo grabitje përgatitjet zgjasnin për afro 2 muaj dhe ata inskenonin ngjarjet gjatë orëve të natës atëherë kur aksi Qafë-Kashar-Rinas ishte pa trafik.
Të Enjten pritet të dalin para gjykatës Ernest Kupa dhe Neim Avdylaj ndërsa dhe për ta kërkesa e prokurorisë është ajo e arrestit me burg.