TIRANE- Forcat RENEA dhe FNSH-ja kanë arrestuar katër persona të dyshuar si grabitësit e 3.2 milionë dollarë në Qafë Kashar mesditën e të enjtes së kaluar.
Dy të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërsa vijon puna hetimore e policisë për zbërthimin e rrjetit kriminal përgjegjës edhe për disa ngjarje të tjera si grabitja e 3 dhjetorit të vitit 2015.
Dy prej të arrestuarve janë ish-komando shqiptarë në Afganistan.
Report Tv ka ndjekur nga afër aksionin e forcave speciale duke siguruar pamje ekskluzive nga operacioni në Vorë dhe Fushë Prezë.
Policia e Shtetit zhvilloi një operacion masiv në zonën e Vorës prej orës 14:00 të kësaj të marte. Operacioni u finalizua pasditen vonë me arrestimin e autorëve të dyshuar të grabitjes spektakolare.