Report TV - Zbulohen rrënjët e familjes Terrusi në Gjirokastër, flet konsulli Bilushi

2017-06-02 4

Teodor Bilushi, konsull nderi i Italisë në Gjirokastër zbulon shtëpinë ku ka jetuar familja e Aldo Terrusit. Në këtë shtëpi ka jetuar familja e gjyshit te Aldos, arkitektit italian Vitaliano Poselli, që ka ngritur disa shtëpi me rëndësi historike në qytetin e Gjirokastrës. Këtë shtëpi e ka ndërtuar vetë gjyshi i Aldos Poselli dhe familja e tij ka jetuar këtu nga viti 1927 deri në vitin 1936.

"Gjirokastra ka qenë qyteti ku njohëm prindërit e Aldo Terrusit. E ëma e tij Aurelia vinte nga një familje arkitektësh të cilët kishin emigruar nga Italia në fillim shekullin e kaluar dhe kishin qenë në disa shtete të Lindjes së Mesme për të kaluar pastaj në Kostandinopojë dhe në Selanik. Familja e të atit të Aurelias ku babai i saj , Vitaliano Poselli dhe gjyshi i Aldos fillojnë të kenë në Gjirokastër një aktivitet ndëertimor në projektim dhe në ndërtimin e disa objekteve historike në qendrën historike të Gjirokastrës", thotë Bilushi.

Janë të shumë ata që e dinë historinë e familjes së Aldo Terrusit, italianit që lindi ne Shqipëri dhe iku nga vendi ynë në moshën 5-vjeçare bashkë me nënën e tij Aurelian. Aldo Terrusi është i biri i ish drejtorit të bankës së Vlorës që në vitet ?50 Enver Hoxha e burgosi e ai vdiq në burgun e Burrelit.
Teodor Bilushi sjell për Report TV edhe disa fotografi të veçanta, të Aurelia Posellit dhe prindërve të saj në Gjirokastër. Aurelia, e bukur dhe rrezëllitese u dashurua me Giuseppe Terrusin që erdhi në vitet ?30 në Gjirokastër si nëndrejtor banke.