Partia Socialiste propozoi sot një shtesë në kodin zgjedhor që parandalon përfshirjen në listën e kandidatëve në zgjedhje të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk i janë nënshtruar procesit të vetting-ut.
Bashkëkryetari socialist i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore Taulant Balla tha se propozimi do të depozitohet në Kuvend nga një grup deputetësh të PS-së.
Në bazë të këtij propozimi, nuk do të lejohen që të kandidojnë për deputet ata gjyqtarë dhe prokurorë që nuk i janë nënshtruar procesit të vettingut, apo janë dorëhequr nga detyra pa e plotësuar të gjithë procesin e vlerësimit të pasurisë.
Ai ka deklaruar në rast se PD vazhdon të bojkotojë komisionin, ata do ta depozitojnë krahas propozimeve të tjera në rrugët që përcakton rregullorja e vendit.