Bulevardi i Ri i Tiranës po merr formë. Pas vendosjes së pllakave të para, paralelisht Bashkia e Tiranës prej pak ditësh po vijon me procesin e mbjelljes së pemëve, çka do ta shndërrojë këtë pjesë të kryeqytetit në një hapësirë të madhe gjelbërimi.
Kështu, përveç shtrimit të pllakave dhe mbjelljes së pemëve, po punohet shpejt edhe me parkingun nëntokësor. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte i pranishëm gjatë procesit të mbjelljes së pemëve të para nga 1100 pemë të llojeve të ndryshme që do të mbillen në 800 metrat e para të Bulevardit, i cili u shpreh entuziast se puna për pjesën e parë është drejt fundit.
?Kemi hyrë në fazën përfundimtare të pjesës së parë të Bulevardit, pra pasi nisëm me vendosjen e pllakave të para, po mbyllim parkingun nëntokësor me 300 vende, i cili do të hapet në pranverë për publikun, dhe më në fund erdhëm në procesin e mbjelljes së pemëve. Janë pisha të buta mesdhetare, shumë të ngjashme me ato të Bulevardit të vjetër, pra për të ruajtur konturin e gjelbër që i lidh dy bulevardet, i cili po merr jetë dita-ditës?, tha kryebashkiaku Veliaj.