Kryetari i opozitës Lulzim Basha ka zhvilluar dje një takim me krerët e partive aleate, parlamentare dhe jo parlamentare, në kuadër të parapërgatitjeve për protestën e 18 Shkurtit, si formë presioni ndaj mazhorancës qeverisëse për të pranuar kushtin e votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet e 18 Qershorit.
Në takimin me dyer të mbyllura janë propozuar disa skenarë, me qëllim për të maksimalizuar efektet e protestës, jo vetëm tek qeveria, por edhe tek faktori ndërkombëtar. Burime brenda takimit bënë me dije për Shqiptarja.com se, një prej skenarëve të propozuar, parashikon mbajtjen e një protestë maratonë në 18 Shkurt, ku pas përfundimit të fjalimeve në podium, protestuesit nuk do të largohen, por do të ngrenë çadrat në hapësirën mes Kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit.