Veliaj: Do të forcojmë rregullat për të mbajtur pastër qytetin

2017-04-25 1

Tirana është sot një qytet disa herë më i pastër se një vit e gjysmë më parë, por për Bashkinë e Tiranës ka ende shumë për t?u bërë, duke nisur nga ndërgjegjësimi i qytetarëve për të mos ndotur mjedisin. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në analizën vjetore të Ndërmarrjes së Punëtorëve të Qytetit Nr.1, ku vlerësoi punën e bërë, sidomos sa i takon pastrimit dhe lirimit të hapësirave publike. Ai deklaroi se 99% e qytetarëve mbështesin dhe respektojnë rregullat për mbajtjen pastër të mjedisit, ndërsa vetëm 1% refuzon që t?i zbatojë ato.

?Fakti që Tirana është rritur dhe qytetin duhet ta ndajmë me 1 milionë njerëz, na bën të kuptojmë se duhet t'i forcojmë më shumë rregullat. Ndaj nuk do të hezitojmë të pastrojmë, por edhe të gjobisim e të kërkojmë llogari nga secili që e ndot qytetin?, u shpreh ai. Veliaj deklaroi se në bashkëpunim edhe me administratorët e pallateve, do të bëhet i mundur vënia para përgjegjësisë i atyre të cilët dëmtojnë hapësirat e përbashkëta. Ai theksoi se ndryshe nga vitet e mëparshme, ku qyteti ishte i mbuluar nga plehrat, është bërë një punë kolosale për rikthimin e higjienës dhe besimit të qytetarëve.