Subscribe në Ora News këtu http://bit.ly/1s5j7UT
Në një intervistë të dhënë për Ora News për Ditën e Diplomatit e cila është edhe një festë për diplomacinë ruse, ambasadori rus në Tiranë, Alexandër Karpushin, ka deklaruar se fatkeqësisht marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Rusisë kanë ende shumë probleme. Problem kryesor vlerësohet mungesa e një dialogu të mirëfilltë për trajtimin e çështjeve të ndjeshme për të dyja palët. Sa i përket tensionimit të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, sipas Karpushin konflikti u shmang nga Serbia e cila vendosi të kthente trenin mbrapsht.
Intervista me ambasadorin e Rusisë
Data 10 shkurt është një ditë mjaft e rëndësishme për diplomatët rusë, duke qënë se në Rusi festohet si Dita e Diplomatit. Z. Ambasador, çfarë domethënie ka kjo për diplomacinë ruse?
Karpushin: Po, keni të drejtë. Më 10 shkurt do ta kremtojmë për të pesëmbëdhjetën herë festën e profesionit tonë, Ditën e Diplomatit, vetë zyrtarizimi i së cilës në 2002 tregon se sa rëndësi i kushton diplomacisë udhëheqja e Rusisë. Historia e diplomacisë ruse ka filluar qindra vjet më parë dhe gjatë kësaj kohe është fituar një përvojë e madhe, ndërsa brezave të rinjë të diplomatëve u është lënë një trashëgimi mjaft e pasur.
Fillimet e shërbimit diplomatik në Rusi datojnë që nga themelimi në vitin 1549 i dikasterit të parë shtetëror të politikës së jashtme, Posolskij Prikaz, i cili më vonë u shndërrua në Kolegjin e Punëve të Jashtme, dhe më pas në vitin 1802, domethënë para plot 215 vitesh, me vendim të Perandorit Aleksandri I u krijua Ministria e Punëve të Jashtme.
Sot për sot Ministria kryen një volum të madh pune, duke mbajtur marrëdhënie diplomatike me 190 vende të botës. Në selinë qendrore dhe në përfaqësitë ruse jashtë vendit punojnë më shumë se 12 mijë njerëz. Diplomacia ruse luan një rol të pazëvendësueshëm në zgjidhjen e shumë problemeve botërore. Kohët e fundit rëndësia e saj vazhdon të rritet, sidomos në kushtet e tensionimit të situatës ndërkombëtare. Sfida numër një është rreziku global i terrorizmit, i cili është kthyer në një lloj sistemi.
Pa dyshim, fakti që bashkësia ndërkombëtare ende nuk ka mundur të krijojë një front të vetëm gjithëpërfshirës kundër terrorizmit na ngjall shqetësim të madh dhe keqardhje. Për krijimin e këtij fronti ka bërë thirrje vetë Presidenti i Rusisë Vladimir Putin gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në 2015.
Për më shumë lexoni në: http://www.oranews.tv/vendi/karpushin-fatkeqesisht-ka-probleme-ne-marredheniet-rusi-shqiperi/